image I faluri nga ish-presidenti Thaçi shpallet në kërkim, dyshohet për një rast të zjarrvënies në Gjilan

Drejtësi

I faluri nga ish-presidenti Thaçi shpallet në kërkim, dyshohet për një rast të zjarrvënies në Gjilan

news image

Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim një 31-vjeçar nga Vitia, i dyshuar për një rast të zjarrvënies, që kishte ndodhur në fillim të muajit gusht. Gazeta Sinjali mëson se personi që po kërkohet nga Policia, Ridvan Syla, ishte falur nga ish-presidenti, Hashim Thaçi, në vitin 2018.

Por cilat janë detaje e rastit për të cilin u shpall në kërkim policor Ridvan Syla?

Gazeta Sinjali ka raportuar për këtë rast të zjarrvënies, që kishte ndodhur në një dyqan për shitjen e materialeve elektrike në Gjilan. Ky lokal, që ndodhet në rrugën “Joseph Biden” në Gjilan ishte përfshirë nga zjarri më 9 gusht dhe për pasojë aty u shkaktuan dëme të mëdha materiale.

Fillimisht, dy javë pas rastit, pas veprimeve hetimore dhe sigurimit të provave nga vendi i ngjarjes, Policia kishte arrestuar një person ardhur që dyshohej të jetë i përfshirë në zjarrvënien e lokalit. Por, gjatë procesit të hetimit, u ngritën dyshimet se edhe Ridvan Syla është i përfshirë në këtë rast.

Kjo bëri që një muaj më vonë, javën e kaluar, Policia të dalë me njoftim të ri, ku kërkoi bashkëpunim nga qytetarët për kapjen e Sylës, duke publikuar edhe foton e tij.

Se i njëjti po kërkohet për këtë rast, e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Gjilanit për Gazetën Sinjali.

Ndryshe, Syla nga fshati Beguncë i Vitisë ishte dënuar me dy vjet e 3 muaj burg për vrasje në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm si dhe mbajtje në kontroll dhe posedim i armëve. Atij, Thaçi i kishte falur tre muaj.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. 

/GazetaSinjali/