Gjatë ditës së sotme është sulmuar fizikisht gazetari kosovar, Valon Syla, shkruan Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali ka raportuar se i dyshuari për këtë rast është Bashkim Jupa nga fshati Molliq i Komunës së Gjakovës, me vendbanim në Zvicër, vëllai i zyrtarit të lartë të PDK-së dhe ish-zëvendësministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Bekim Jupa.
I dyshuari në lidhje me këtë rast ende nuk është arrestuar dhe ndodhet në arrati.
Për ta marrë një konfirmim zyrtar, Gazeta Sinjali ka kontaktuar zëdhënësen e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmetin, por e njëjta ka thënë se në lidhje me këtë rast duhet kontaktuar zëdhënësin Baki Kelani.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe Kelanin, por i njëjti ka thënë se për këtë duhet kontaktuar Ahmetin.
Si përfundim, Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në emailin zyrtar të informimit të Policisë së Kosovës, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk ka pranuar përgjigje nëse i dyshuari është arrestuar.
Ndryshe, sulmi fizik ndaj gazetarit ka ndodhur rreth orës 12:00 në lagjen Pejton në Prishtinë.
Më poshtë mund t’i shihni pamjet nga sulmi fizik ndaj gazetarit Syla.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.