Dogana e Kosovës ka zbuluar një rast të deklarimit të pasaktë të mallrave gjatë kontrollit doganor në Zyrën Doganore në Prizren.
Kjo u bë e ditur përmes një postimi në Facebook, ku nga dogana thuhet se gjatë ekzaminimit të një dërgese të importuar, zyrtarët doganorë kanë konstatuar mospërputhje ndërmjet deklarimit doganor dhe gjendjes faktike të mallit, i cili ishte deklaruar si qirinj, ndërsa pas kontrollit fizik është vërtetuar se bëhej fjalë për fishekzjarre.
“Përveç klasifikimit të gabuar tarifor, është konstatuar se për mallin në fjalë kërkohet edhe licencë për import të mjeteve plasëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi”.
Sipas vlerësimeve preliminare, shmangia e obligimeve doganore dhe tatimore si rezultat i deklarimit të gabuar arrin në mbi 2 mijë e 500 euro.
“Lidhur me rastin është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore sipas dispozitave të Kodit Doganor dhe të Akcizave”, thuhet tutje në njoftimin e Doganës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!