Konsumimi i drogës dhe mbajtja e armëve pa leje është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre dhe cenuar sigurinë e qytetarëve. Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë pas mesnate në rrugën ‘Nënë Tereza’ në Gjakovë, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se një person në gjendje të dehur ka prishur qetësinë në sheshin ‘Nënë Tereza’, gjë e cila ka bërë që të intervenojë Policia.
48-vjeçari i është nënshtruar kontrollit policor, ku i është gjetur dhe sekuestruar një qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë dhe një boks i hekurit.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor ku i është bërë edhe testi i alkoolit dhe ka rezultuar në gjendje të dehur.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.