Gjykata Themelore në Ferizaj e ka aprovuar kërkesën e prokurorisë së këtij rajoni për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit për vjedhje të rëndë, B.Sh., raporton Gazeta Sinjali.
Në njoftimin e kësaj gjykate thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka vërtetuar faktin se B.Sh., më 2 prill kishte kryer vjedhje të rëndë në një shtëpi në Kaçanik.
Sipas njoftimit të gjykatës, i dyshuari kishte hyrë me forcë në shtëpinë e të dëmtuarit A.K., pastaj kishte ndërruar rrobat, duke ia marrë rrobat e djalit të pronares së shtëpisë dhe në çantën e saj ka marrë 30 euro, 10 dollarë, dhjetë kruna suedezi, si dhe çelësat e veturës.
Tutje, gjykata bën të ditur se i dyshuari e kishte vjedhur veturën e tipit “Audi” me të cilën ishte nisur në drejtim të Hanit të Elezit.
Për shkak se nuk kishte ndaluar fare në pikën kufitare, duke vazhduar në drejtim të Maqedonisë së Veriut, ai ishte ndjekur nga një patrullë e policisë e cila kishte arritur ta ndalonte dhe arrestonte.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji”, thuhet në njoftim./Gazeta Sinjali/