image I burgosuri në Dubravë që vdiq sot ishte i dënuar për vrasje të rëndë

Kosovë

KMDLNJ/ I burgosuri në Dubravë që vdiq sot ishte i dënuar për vrasje të rëndë

news image

KMDLNJ përmes një komunikate për media kanë njoftuar se në Spitalin e Pejës ka ndërruar jetë një i dënuar me inicialet Z.Ll i lindur në vitin 1942, e që ishte i dënuar për vrasje të rëndë dhe po vuante dënimin në Burgun e Dubravës.

“I burgosuri Z. Ll. që nga pranimi ka qenë i sëmurë dhe me  shumë komplikime shëndetësore, tërë kohën është mbajtur në Stacionarin e burgut të Dubravës, por edhe kohë pas kohe ka qenë i shtrirë në spitale jashtë burgut. Në bazë të rekomandimeve të mjekëve të SB të Dubravës, të SP të Pejës dhe QKUK-së i ndjeri ka qenë i shtrirë në Klinikën Vaskulare dhe në SP në Pejë në njësitë internistike, neurologjike, koronare, etj”, shkruhet në komunikatë.

“Për rastet e vdekjeve e të privuarve nga liria e që vuajnë nga sëmundje të pashërueshme, KMDLNj nuk e bënë përgjegjës Shërbimin Spitalor të Burgjeve e as Shërbimin Korrektues të Kosovës por e adreson përgjegjësinë tek institucionet që kanë mungesë të theksuar të humanizmit duke mos lejuar që të dënuarit me diagnozë terciare të kenë mundësinë të vdesin në shtëpitë e tyre dhe afër familjeve të tyre”, thuhet tutje.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur Shërbimi Korrektues i Kosovës përmes një komunikate drejtuar mediave.

Sipas SHKK-së, i burgosuri po vuante nga një sëmundje e zemrës dhe mushkërive dhe se i njëjti ishte në vuajtje të dënimit për veprën penale “vrasje e rëndë”.

Sipas procedurave, trupi i pajetë është dërguar për obduksion.

“I burgosuri, rreth orës 23:35 me rekomandim të mjekut të Q.K Dubravë është dërguar me urgjencë  në Spitalin Rajonal të Pejës, ku përkundër ofrimit të ndihmës mjekësore ka ndërruar jetë. Z. Ll, po vuante nga sëmundje të zemrës dhe mushkërive”, thuhet në komunikatën e SHKK-së.