image I arrestuari për prezantim si agjent i AKI-së, shfaqet i afërt me zyrtarët e lartë të Policisë

Siguri

I arrestuari për prezantim si agjent i AKI-së, shfaqet i afërt me zyrtarët e lartë të Policisë

news image

Gazeta Sinjali sot raportoi se Policia e Kosovës ka arrestuar mbrëmë pronarin e shisha bar “Marocco Bar”, Samed Poterën në rrugën “Ali Vitia” në Prishtinë, i cili dyshohet se është prezantuar rrejshëm si agjent i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë gjatë kontrollit rutinor të Policisë.

Sinjali po ashtu raportoi për versionin e Poterës lidhur me këtë ngjarje, duke e lavdëruar Policinë e Kosovës.

Se ka një miqësi me policët, bie në sy edhe në rrjetet sociale të Samed Poterës ku janë disa fotografi me zyrtarë të lartë të Policisë, ku në mesin e tyre me major Driton Imerin dhe hetuesit Besnik Morinën e Artan Kallabën.

Samed Potera me zyrtarët policorë në lokalin e tij.

Përveç me zyrtarë të lartë të policisë, Potera ka publikuar disa fotografi edhe me të kërkuarin nga Policia, Astrit Llepota, i cili bashkë me grupin e tij, dyshohen për plagosjen e katër personave në klubin e natës ‘Duplex’ në Prishtinë, në nëntor të vitit 2019.

Samed Potera dhe Astrit Mehmeti – Llepota

Burime të Sinjalit brenda Policisë bëjnë me dije se kanë pranuar disa ankesa për sjellje të keqe të zyrtarëve policorë në lokalin që është në pronësi te Poterës dhe këto ankesa tashmë janë objekt hetimi edhe nga IPK-ja.

Të njëjta burime njoftuan se Shisha Bar “Marocco Bar” është në mbikëqyrje të shtuar nga organet e sigurisë, në mënyrë që të identifikohen zyrtarët policorë që me sjelljet e tyre të pahijshme dhe me shoqërimin e tyre me persona të dyshuar për vepra penale, po dëmtojnë rëndë edhe imazhin e Policisë se Kosovës.

Në deklaratën e Poterës për Sinjalin, ai e konfirmoi arrestimin e tij por e mohoi se ka prezantuar dokumente të falsifikuara.

“Po unë jam arrestue dhe lirue. O m’kanë dënu  që e kom ni dokument nuk e di çka edhe tash ata e kanë marrë dhe gjithçka është n’rregull me mu, gjithçka i pafajshëm, i lirë jom. Unë s’jom identifiku me asni dokument shembull ata e kanë pas n’kerr dokumentin e kanë pasë.  Unë dokumentat i kom origjinall”, tha ndër të tjera ai.

Me vendim të prokurorit, ky rast është hapur si “Prezentim i rrejshëm si person zyrtar” dhe shkon në procedurë të rregullt.

/Gazeta Sinjali/