image I armatosur arriti të futej në Stacionin Policor në Gjakovë pa u kontrolluar nga policia, IPK fillon hetimet

Siguri

I armatosur arriti të futej në Stacionin Policor në Gjakovë pa u kontrolluar nga policia, IPK fillon hetimet

news image

Më 24 nëntor, një person kishte arritur të futet në stacionin policor në Gjakovë, madje edhe të intervistohet si i dyshuar për një aksident trafiku derisa kishte armë zjarri me vete. Lidhur me këtë rast Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar hetimet, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, pas intervistimit, i dyshuari ishte kthyer përsëri në Stacionin Policor në Gjakovë, me arsyetimin se e kishte harruar letërnjoftimin.

Zyrtarët policorë nuk e kanë gjetur letërnjoftimin e të dyshuarit, por gjatë kontrollimit të dhomës së intervistimit në një sirtar kanë gjetur një armë tytë shkurtër që dyshohet se është e të dyshuarit.

Në lidhje me këtë rast Gazeta Sinjali ka kontaktuar Inspektoratin Policor të Kosovës, se si ka arritur t’i shpëtojë kontrollit i dyshuari dhe se a është suspenduar ndonjë zyrtar policor.

Në përgjigjen e IPK-së thuhet se hetimet janë në fazën fillestare dhe nuk kanë dhënë më shumë informacione.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e saj janë njoftuar lidhur me rastin që ka ndodhur më 24.11.2020, ku në Stacionin Policor është gjetur një armë zjarri (pistoletë) me një karikator dhe pesë fishekë.

Inspektorati Policor është në fazën fillestare të ndërmarrjes së veprimeve hetimore në konsultim e Prokurorinë Themelore në Gjakovë dhe në përputhje me misionin ligjor të IPK-së”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për Gazetën Sinjali.

/GazetaSinjali/