image Hyseni: Kurti dhe Osmani kanë nisur të shkatërrojnë çdo gjë që ishte ndërtuar gjatë tri dekadave të fundit

Politikë

Hyseni: Kurti dhe Osmani kanë nisur të shkatërrojnë çdo gjë që ishte ndërtuar gjatë tri dekadave të fundit

news image

Ish-kryenegociatori i Kosovës për bisedimet me Serbinë, Skënder Hyseni, ka akuzuar kryeministrin dhe presidenten e Kosovës se po shkatërrojnë çdo gjë që është ndërtuar në tri dekadat e fundit.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Albin Kurti dhe Vjosa Osmani me veprimet e tyre politike po punojnë kundër interesave fundamentale të shtetit të Kosovës, duke rrezikuar të ardhmen kolektive të Kosovës.

Sipas tij, Kosova udhëhiqet nga dy aventuristë egocentrik e narcisoid, të cilët duke bërë lojëra fëmijësh me targa po rrënojnë aleancën dhe partneritetin e Kosovës me vende demokratike.

Postimi i plotë i Hysenit:

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, me politikën e tyre të rrezikshme dhe izolacioniste kanë nisur të shkatërrojnë çdo gjë që me aq mund ëshë ndërtuar gjatë tri dekadave të fundit në Kosovë. Me veprimet e tyre politike, sinonim i popullizmit ekstrem, ata po punojnë kundër interesave fundamentale të shtetit të Kosovës duke rrezikuar të ardhmën tonë kolektive! Është koha e fundit që këta të ashtuquajtur liderë dhe politika e tyre të kundërshtohen frontalisht. Paradoksalisht, rreziku më i madh Kosovës sot i vie nga këta liderë dhe aventurat e tyre fëminore politike!

Kosova është shtet, mbi të gjitha falë përkrahjes së pakursyer e vendimtare të botës dhe demokracive perendimore me në krye SHBA-të! Ndërkohë që sot Kosova udhëhiqet nga dy aventuristë egocentrik e narcisoid, të cilët duke bërë lojra fëmijsh me TARGA, po rrënojnë aleancën dhe partneritetin me vendet më demokratike, përkatësisht me përkrahësit strategjikë të Kosovës në botë.

Status-quoja në raportet me Serbinë është armiku më i madh i Kosovës sot dhe nesër. Nuk guxojmë të lejojmë që shteti ynë të ekspozohet ndaj planeve dhe ndikimeve nga faktorët destabilizues që për qëllim kanë prishjen e rendit kushtetues dhe sigurisë në Kosovë dhe Ballkan. Forcimi i partneritetit dhe komunikimi e koordinimi sistematik me SHBA-të dhe vendet tjera të Quintit duhet të rikthehet në binarë.

Dialogu me Serbinë dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërshtetërore me njohje të ndërsjellë është dhe duhet të jet prioritet mbi të gjitha prioritet i çdo qeverie të Kosovës. Prandaj, pa u vonuar, dialogu me Serbinë duhet të rikthehet në kornizën e duhur. Duhet pa vonesë të ndalen lojrat e targave dhe Marrëveshja Gjithpërfshirëse të vendoset si prioritet dhe urgjencë. Një marrëveshje e tillë, të gjitha këto çështjet periferike, si kjo puna e targave, i bënë lehtë të zbatueshme.

Nuk mund të ketë progres as në rrugën e Kosovës për anëtarësim në NATO e as BE pa u arritur kjo Marrëveshje. Janë çështje drejtëperdrejtë të lidhura. Në këtë kontekst, duhet urgjentisht të rivendoset komunikimi dhe koordinim sistematik dhe harmonizimi i politikave me Administratën e Presidentit Biden duke respektuar rekomandimet. Në Uashington, Bruksel, Berlin, Londër, Paris dhe Romë, Qeveria e re duhet të intensifikojnë praninë dhe përpjekjet për ruajtjen e partneritetit!

Kurtit e Osmanit duhet t’u themi në unison: Këndelluni! Mos luani me fatin dhe të ardhmën e vendit tonë!

/GazetaSinjali/