image 'Avullohen' mbi 6 mijë litra naftë në shkollën e mesme të mjekësisë në Gjakovë

Kosovë

‘Avullohen’ mbi 6 mijë litra naftë në shkollën e mesme të mjekësisë në Gjakovë

news image

Mijëra litra naftë kanë humbur nga rezervuarët në shkollën e mesme të mjekësisë “Hysni Zajmi” në Gjakovë, raporton Gazeta Sinjali.

Drejtori i shkollës, Gjokë Tahiri ka thënë për Gazetën Sinjali se kanë humbur 6 mijë deri në 7 mijë litra naftë që përdoret për ngrohje. Ai ka treguar sesi është vërejtur se mungon sasia e naftës, ndërsa ka theksuar se me rastin po merret edhe Policia.

“Para 3-4 ditësh, ne e kemi vërejtë se mungon një sasi e naftës në rezervuarë të shkollës, 6 mijë, 7 mijë litra, saktësisht nuk e di.. Më së pari, mua më ka njoftuar sekretari i shkollës. Kanë qenë këta të efiçiencës në shkollë. Kanë shku me e pa gjendjen e kofës dhe rezervuarëve të naftës dhe sekretari më tha “Drejtor, hajde shkojmë poshtë se, ja nuk kam pa unë mirë, ja diçka nuk është mirë se i kam vrejtë rezervuarët e zbrazët”. Kemi shku me sekretarin poshtë, i kam kqyrë rezervuarët dhe e kam pa që aty mungon një sasi e caktuar e naftës”, ka thënë Tahiri.

Pas kësaj, drejetori i shkollës ka thënë se e ka njoftuar Drejtorinë Komunale të Arsimit dhe më pas Policinë, ndërsa ka treguar se edhe sot ka qenë në Polici.

Ai tha se nga një gyp i dëmtuar afër shkollës po rrjedhë naftë dhe se ka dyshime që ajo naftë ka ardhur nga rezervuarët e shkollës. Drejtori gjithashtu ka treguar se pas pak do të dalin bashkë me Policinë për ta evidentuar se çfarë po ndodhë.

“Prapë sot isha në Polici. Se është duke u ndërtu një banesë e re dhe një gyp i asbestit e kishin thy ata aksidentalisht dhe vazhdimisht ishte duke rrjedhë naftë. Kështu, ka mundësi që është ky një rezervuar i naftës atje ku janë në shkollën tonë në bodrum dhe ai naftë ka kalu nëpër ‘drenazhë’ dhe përmes atij gypi përcillet dhe shkon poshtë. Tash prapë, e lash me Policinë me dalë në orën 14:00 ka me u çelë gypi aty dhe ka me ardhë me u evidentu vendi saktësisht”, tha ai.

Drejtori thekson se nuk e akuzon askënd për humbjen e naftës, dhe se s’do ta bëjë as në Polici.

“Unë absolutisht askënd s’e kam etiketu, as që e kam paragjyku, e as s’e kam akuzu”, është shprehur Tahiri.

Lidhur me rastin, Gazeta Sinjali paraprakisht ka folur edhe me drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Gjakovës, Bernard Kolajn, i cili ka thënë se janë të njoftuar për rastin dhe po presin veprimet e Policisë. /Gazeta Sinjali