Dy persona janë lënduar në vendin e tyre të punës, në lagjen Hajvalia të Prishtinës, ku si pasojë njëri ka humbur jetën, ndërsa tjetri ka pësuar lëndime të rënda.
Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar mjeku kujdestar, Agron Çitaku, i cili tha se personi i cili ka humbur jetën, është një 45-vjeçar, i cili ka rënë nga një lartësi mesatare.
Ndërsa, i lënduari i dytë i cili po trajtohet ende, e që ka marrë lëndime të rënda, është një 21-vjeçar.
“Rasti i parë është ardh rreth orës 10:15, pa shenja jete dhe ka qenë punëtor fizik. Sipas shënimeve që kemi marrë nga përcjellësit, punëtori ka rënë nga një lartësi mesatare“, tha Çitaku.
Sinjali ka kontaktuar edhe me policinë, por të njëjtit ende nuk kanë dhënë ndonjë informacion, në lidhje me rastin.
Ndërkaq, bëhet e ditur se trupi i pajetë po dërgohet në IML për obduksion.