Zëvendëskryeministri në detyrë, Enver Hoxhaj ka reaguar pas lirimit nga burgu të një serbi të dënuar për krime ndaj shqiptarëve, i cili është shpallur fajtor për vrasjen e 14 civilëve në Kosovë.
Hoxhaj ka thënë se Serbia po vazhdon të tallet me viktimat e luftës në Kosovë dhe lirimi i kriminelit serb është dëshmi për këtë, transmeton Sinjali.
“Serbia në vazhdimësi po tallet me viktimat e luftës! Këtë e ka bërë në Bosnje e po vazhdon ta bëjë edhe me Kosovën! Këto ditë në Serbi është liruar nga burgu, tre vjet para përfundimit të dënimit, personi i cili është akuzuar dhe dënuar për vrasjen e 14 civilëve shqiptarë në Kosovë. Nga ky krim arritën të shpëtojnë pesë fëmijë, e në mesin e tyre edhe Saranda Bogujevci. Lirimi i kriminelit serb është dëshmi që Serbia po vazhdon të luaj me nervat e të gjithve në të gjitha planet, madje edhe atë ushtarak!”, ka shkruar Hoxhaj në rrjetin social, Facebook.
Një tjetër anëtar i një grupi paraushtarak famëkeq serb është liruar më herët nga burgu nga një gjykatë në Beograd, pasi kishte kryer 12 vjet nga dënimi i tij me 15 vjet burg për krime lufte.
Miodrag Solaja u dënua për vrasjen e 14 civilëve gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999, duke përfshirë shtatë fëmijë të ekzekutuar në oborrin e një shtëpie. Ai u lirua muajin e kaluar, tre vjet para se të përfundonte dënimin e tij./Sinjali/