Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka treguar se çka është diskutuar në takimin me kreun e LVV-së, Albin Kurti dhe presidenten në detyrë, Vjosa Osmani, shkruan Gazeta Sinjali.
Hoxhaj u shpreh se në këtë takim i ka kujtuar Kurtit se në të kaluarën ka ushtruar dhunë nëpër institucione dhe se i kanë shtruar 10 pikat e tyre.
“Ne kemi shkuar në atë takim me qëndrime dhe përmbajtje të qarta. Nuk ka qenë ideja jonë që të marrim pjesë saqë vetëm të takohemi me z.Kurti dhe znj.Osmani se ne e njohim njëri-tjetrin dhe e dimë se kush për çfarë qëndrojmë. Ne kemi shkuar në atë takim që t’i shtrojmë këto 10 qëndrimet që i kemi bërë publike. Atmosfera ka qenë korrekte”, tha ndër të tjera Hoxhaj në Kanal 10.
Po ashtu, Hoxhaj tha se kanë kërkuar nga ta të konkretizojnë arsyen pse i kanë ftuar në takim, duke bërë të ditur se iu është kërkuar që të jenë pjesë e seancave të zgjedhjes së institucioneve të reja.
“Fillimisht ishte një qasje që nuk e dinim pse na kanë ftuar. Se flisnin në terma të përgjithshëm derisa unë ju thash: hyni në temë, për çka na keni ftuar?. Mandej kërkuan që të ketë kontribut nga PDK për të qenë pjesë e tri seancave të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, të zgjedhjes së qeverisë dhe të presidentit”, shtoi ai./Gazeta Sinjali/