image Hoxhaj: Njerëzit po vdesin pa vaksina në Kosovë, Kurti me ministra bëjnë xhiro me xhipa në Shqipëri

Shëndetësi

Hoxhaj: Njerëzit po vdesin pa vaksina në Kosovë, Kurti me ministra bëjnë xhiro me xhipa në Shqipëri

news image

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar ashpër për pjesëmarrjen e kryeministrit të vendit, Albin Kurtit dhe ministrave të tij në procesin e votimit në Shqipëri, raporton Gazeta Sinjali.

Hoxhaj ka thënë se në Kosovë qytetarët po infektohen dhe po vdesin për shkak të mungesës së vaksinave antiCOVID, derisa Kurti bën “xhiro me xhipa” me ministrat e tij, për të mbështetur bashkëpartiakët e tij atje.

“Albin Kurti për të satën herë po shfaqet në Shqipëri si kryeministri i Kosovës që më shumë i interesojnë bashkëpartiakët atje se fati i bashkëqytetarëve këtu. Ndërkohë, Shqipëria ka arritur numrin e 400 mijë qytetarëve të vaksinuar, në Kosovë janë vetëm 20 mijë të tillë në pritje të një tjetër kontingjenti ndihmash me vaksina”, ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.

Hoxhaj thotë se ka zhvilluar një takim me drejtorin e Spitalit të Prizrenit, Afrim Avdajn, i cili thotë se e ka njoftuar se në këtë qytet nuk ka asnjë vaksinë antiCOVID, derisa kërkesat për vaksinim janë të larta.

“Edhe qendrat e tjera të vaksinimit në Kosovë janë të mbyllura. Njerëzit po infektohen edhe më shumë, të tjerët po vdesin në mungesë të vaksinave e kryeministri Kurti me ministrat e tij po bëjnë xhiro me xhipa e deklarata për mot të mirë në Shqipëri. Por parashikimet në Kosovë nuk janë të tilla z. Kryeministër. Janë të errëta dhe për të cilat do të mbash përgjegjësi”, ka përfunduar ai./GazetaSinjali/