Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj i shoqëruar nga bashkëpartiakët, ka bërë homazhe te kompleksi memorial për viktimat e familjes Berisha, në 22 vjetorin e kësaj masakre.
Sipas tij, kjo masakër është dëshmi konkrete e gjenocidit të Serbisë, prandaj thotë se shteti serb duhet të paditet për krimet e kryera gjatë luftës.
Hoxhaj u zotua se kjo çështje do të jetë prioritet dhe se asnjëherë nuk do të pushojnë duke kërkuar drejtësi.
“Pas shumë vitesh e kujtojmë këtë masakër dhe natyrisht që kërkojmë që Serbia të paditet për gjenocidin e ushtruar në Kosovë dhe nuk do të pushojmë që kjo çështje të bëhet e ardhshme e të gjithë akterëve politikë”, tha Hoxhaj, përcjell EO.
Ai nuk la pa përmendur edhe gjykimin e krerëve të UÇK-së në Hagë, e që sipas tij, po gjykohen padrejtësisht.
Hoxhaj shtoi se është e papranueshme që të rishkruhet historia.
“Kur jemi te masakra e Therandës ne jemi me zemër me shokët tanë të cilët në mënyrë të padrejtë përballen me Gjykatën Speciale të cilët kanë qenë udhëheqës të lutës sonë për liri. Nuk pranojmë që të rishkruhet historia e Kosovës sepse është rishkruar këtu në Therandë”, tha tutje Hoxhaj. /Gazeta Sinjali/