image Hoxhaj bën thirrje për unitet politik: Serbia dhe Rusia nuk duhet të na gjejnë të përçarë

Kosovë

Hoxhaj bën thirrje për unitet politik: Serbia dhe Rusia nuk duhet të na gjejnë të përçarë

news image

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj ka thënë se pas ngritjes së aktakuzave ndaj ish udhëheqësve të UÇK-së, është momenti për reflektim dhe solidarizim me familjet e tyre, shkruan Gazeta Sinjali.

Hoxhaj përmes një shkrimi në Facebook iu ka bërë thirrje për unitet të gjithë faktorëve politik në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.

Ai ka shtuar se aktauzat janë gatuar nga Serbia dhe Rusia, dhe se për këtë nuk duhet të na gjejnë të përçarë e të papërgatitur.

Postimi i plotë i Enver Hoxhaj:

Pas zhvillimeve të fundit me ngritjen e aktakuzës ndaj ish udhëheqësve të luftës çlirimtare, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Salih Mustafa, Nasim Haradinaj e Hysni Gucati, është momenti për reflektim dhe solidarizim me ta, familjet e tyre dhe popullin e Kosovës. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një nga kapitujt më të lavdishëm të historisë së dhimbshme të kombit tonë, që sot mbush me krenari çdo shqiptar dhe që bëri Ballkanin një rajon më të drejtë e më paqësor.

Kosova sot është në ditët e saj më të vështira duke u përballur me përpjekjet shumëvjeçare të Serbisë për të njollosur luftën tonë për liri e cila përbën themelin e shtetit tonë. Për më tepër, që Serbia jo vetëm që nuk është distancuar nga krimet e kryera por ende mban fshehur fatin e të zhdukurve të Kosovës, fakt i hidhur ky që u rikthye në vëmendje këto ditë prej gjetjes së mbetjeve mortore në Kizhevak, afër Rashkës.

Akuzat që janë gatuar nga kundërshtarët e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, Serbia dhe Rusia, nuk duhet të na gjej të përçarë e të papërgatitur. Prandaj instrumentalizimi politik i procesve gjyqësore ndaj liderëve të UÇK-së, për politikë ditore partiake, pavarësisht në Kosovë, Shqipëri e diku tjetër, nuk i shërben aspak Kosovës, përkundrazi, e dëmton rëndë atë. Nuk i ndihmon as shokët tonë në Hagë!

Të gjendur përballë kësaj situate kritike e të rëndë, unë bëj thirrje për vetëdije të lartë patriotike, solidaritet e unitet të mbarë faktorit politik shqiptar, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe në trojet e tjera shqiptare. Historia e ka dëshmuar që shqiptarët ia kanë dalë t’i tejkalojnë sfidat e sulmet vetëm kur kanë qenë të bashkuar./Gazeta Sinjali/