image Hoxha replika me Kurtin në Kuvend, akuza për sindikatat

Politikë

Hoxha replika me Kurtin në Kuvend, akuza për sindikatat

news image

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, i ka përmendur kohën kur kryeministri, Kurti i kishte përkrahur sindikatat.

Në lidhje me këtë Kurti i është kundërpërgjigjur, duke thënë se sindikatat duhet të jenë jopartiake.

Deputetja e PDK-së i ka thënë Kurtit se duhet ta gjejë një zgjidhje për sindikatat, pasi sipas saj, punëtorët e sektorit publik janë më të prekurit nga rritja e çmimeve.

“Ju po flisni për probleme sindikale, të punëtorëve në procese të ndërmarrjeve publike, të cilat dashtë pa dashtë kanë kaluar në proces të privatizimit. Ndaj ju kisha lutur që thjesht të gjeni një zgjidhje, një kohë dhe një përkushtim që të uleni bashkë me ta dhe t’i adresoni çështjet. Sepse në fakt rritjet enorme të çmimeve, jo vetëm e prekin aspektin e sindikatave ose punëtorët në sektorin publik, por të gjithë pa dallim, megjithëse më së shumti ndihet te ata, sepse pagat në këtë sektor nuk janë rritur nga 2016-ta”, tha Hoxha.

Kryeministri i është kundërpërgjigjur deputetes, duke i thënë se Kosova duhet të ketë sindikata të fuqishme në sektorin privat, por nuk i ka.

Sipas Kurtit, gjendja me sindikatat tani është si pasojë e 20 viteve të kaluara.

Kurti tha se në të kaluarën ka pasur privatizim të posteve dhe trajtimit privat përbrenda sektorit publik.  

“Pra unë po them që për të hyrë në një fazë të re të zhvillimit, nuk do të mundemi as me mënyrat, as me mendësinë e vjetër. Dhe kur po them privatizim, nuk po mendoj vetëm atë që e kanë bërë AKM-ja e AKP-ja, por po them prej privatizimit të posteve, nepotizmit, trajtimit privat përbrenda sektorit publik e në raport me publikun të strukturave publike, të gjitha këto janë pjesë e privatizimit”.

“Për ta forcuar shtetin e Kosovës, realisht na duhet një lloj deprivatizimi i publikes, e për këtë na nevojiten qasje të reja edhe sindikaliste, e unë për këtë jam i gatshëm të ndihmoj, por kjo është përtej mjerimit social që gjenden njerëzit tanë”, ka deklaruar Kurti./GazetaSinjali/