Ministrja e Integrimeve Evropiane në detyrë, Dhurata Hoxha, iu ka bërë thirrje deputetëve që para votimit për shpërndarjen e legjislaturës aktuale, të votojnë me shumicë votash marrëveshjen ndërkombëtare të IPA-së, e cila i sjellë shtetit rreth 90 milionë euro nga BE-ja.
Në rastin e kundërt, Hoxha thotë se Kosova do të pësonte humbje të mëdha. Pikërisht për këtë, ajo u ka kërkuar deputetëve të tregohen të kujdesshëm, pasi e gjithë barra rëndon mbi ta.
Ministrja Hoxha i renditi të gjitha projektet që do të mbulohen me këto fonde, ku sipas saj, më i rëndësishmi është ndërrimi i filtrave të termocentralit të KEK-ut.
“Rëndësia e këtyre fondeve është me të vërtetë përtej fjalëve. Po e përmend vetëm njërin prej projekteve që janë apo do të mbulohen me këto fonde, i cili është ndërrimi i filtrave në termocentralin në KEK. Është me të vërtetë shumë e rëndësishme, pasi kualiteti i ajrit do të përmirësohet ndjeshëm… Janë ndër projektet që mund të përmend dhe që janë shumë të rëndësishme. Këtu e kemi çështjen e Avokatit të Popullit, mbështetjen e fondit të eficiencës së energjisë, pastaj përmirësimin e sektorit të teknologjisë dhe IT-së. Nëse nuk arrijmë t’i shfrytëzojmë këto fonde përmes IPA-së, atëherë edhe fonde të tjera do të rrezikohen”, thotë ministrja Hoxha .
Ministrja Hoxha shprehet optimiste se marrëveshja ndërkombëtare IPA do të votohet në Kuvend, por pavarësisht kësaj, ajo thotë se afati i fundit për ratifikim është dita e fundit e vitit 2019.
“Unë jam shumë optimiste se do të kemi një ratifikim në seancën e 22 gushtit, sepse, tek e fundit, fajtorë do të jenë ata deputetë, të cilët nuk do të votojnë ratifikimin dhe do të lejojnë që të humbin 90 milionë euro”, thekson Hoxha.
Votimin e kësaj marrëveshje ndërkombëtare, që i sjellë Kosovës 90 milionë euro grante nga BE-ja, kanë kërkuar partitë politike dhe shoqëria civile. Ndërkaq, në fillim të kësaj jave, Kryesia e Kuvendit vendosi që kjo pikë të vihet në rendin e ditës më 22 gusht, ditë kjo kur pritet të shpërndahet edhe legjislatura aktuale./Sinjali/