Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, së bashku me Koordinatorin Shtetëror për Dialog, Skënder Hyseni, ka pritur sot në takim ambasadorët e shteteve të QUINT-it, transmeton Gazeta Sinjali.
Në këtë takim ishte dhe Shefi e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, me të cilët është diskutuar rreth aktualitetit politik dhe ekonomik në vend, si dhe për luftën kundër COVID-19.
Kryeministri Hoti theksoi se procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet me marrëveshjen gjithëpërfshirëse që përfundon me njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve.
Ai i njoftoi edhe për nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, e cila ndodhi më 4 shtator në Washington, ku e cilësoi atë si një marrëveshje historike.
Gjithashtu, Hoti tha se Ligji për rimëkëmbjen ekonomike mbetet të votohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilin e konsideroi si kontributin më të madh që do t’i bëhej qytetarëve dhe bizneseve në vend.
“Kryeministri Hoti, me këtë rast, ka vlerësuar maksimalisht rolin e shteteve të QUINT-it dhe të BE-së, për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë shtetit të Kosovës, në të gjitha fazat e zhvillimit dhe të shtetndërtimit”, thuhet në komunikatë. /Gazeta Sinjali/