image Hoti: Kërkesa e Kurtit ndaj Kuvendit është shtruar gabimisht, ai duhet të raportojë për 5 pika

Politikë

Hoti: Kërkesa e Kurtit ndaj Kuvendit është shtruar gabimisht, ai duhet të raportojë për 5 pika

news image

Ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se kërkesa e kryeministrit Albin Kurti, që të premten në Kuvendin e Kosovës të diskutohet për ecurinë e deritanishme të dialogut është shtruar gabimisht.

Hoti nëpërmjet një postimi në Facebook tha se raporti i dorëzuar nga Qeveria për deputetët përmban listën e marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut teknik të viteve 2011-2017.

Ai shtoi se dialogu në Bruksel tanimë nuk është teknik, por është për marrëveshjen përfundimtare për njohje të ndërsjellë dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të dy shteteve fqinje.

Prandaj, thotë se raportimi i Kurtit duhet të fokusohet në pesë pika, në mënyrë që sipas tij, të qartësohet qëndrimi i Qeverisë Kurti për këto çështje, raporton Gazeta Sinjali.

“Kryeministri të premten duhet të raportojë në Kuvend për qasjen e tij në këtë proces të ri dialogu:
1. për parimet mbi të cilat do të dialogohet (që në fakt paraqesin vijat e kuqe për palën kosovare),
2. për objektivat e dialogut (çfarë pritet të arrihet në fund të procesit),
3. për organizimin e palës kosovare në procesin e dialogut, për ekspertët dhe institucionet akademike që duhet përfshirë në dialog,
4. për mënyrën se si do të sigurohet transparenca dhe llogaridhënia gjatë procesit, përfshirë rolin mbikëqyrës të Kuvendit dhe qasjen në proces për shoqërinë civile dhe mediat,
5. për mënyrën si do të sigurohet mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë në këtë proces, koordinimi me ta për objektivat e dialogut dhe përfshirja e tyre në dinamikën e dialogut”,
shkroi ndër të tjera ai./Gazeta Sinjali/