Tabela me emrin e Zoran Gjingjiqit, e cila u vendos dje në Mitrovicën e Veriut pranë tabelës me emrin Isa Boletini, është larguar sot në mëngjes nga vendi ku ishte vendosur, afër rreth rrotullimit në hyrje të qytetit.
Tabelat me emrat e rinj të rrugëve, sipas Isa Boletinit dhe Zoran Gjingjiqit, u vendosën dje nga ministrja në detyrë e Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, e cila deklaroi se emërtimet e reja janë zgjedhur në bashkëpunim me administratën e mëparshme në Mitrovicën e Veriut.
Për këtë veprim reagoi Komuna e Mitrovicës së Veriut, duke theksuar se “vendosja e tabelave me emrat e rinj të rrugëve nuk ishte paralajmëruar dhe as koordinuar me përfaqësuesit ligjorë dhe legjitimë të komunës, dhe se ky veprim ishte ndërmarrë për qëllime të fushatës së Lëvizja Vetëvendosje”.
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, i mbuloi tabelat me pëlhurë, duke deklaruar se vendimi për emërtimin e rrugëve është i paligjshëm.
Ndërkohë, kundër vendosjes së tabelës me emrin e Zoran Gjingjiqit doli edhe Shoqata e Veteranëve të UÇK-së.
Emri i ish-kryeministrit të Serbisë u kundërshtua edhe nga qytetarë të Mitrovica e Jugut, disa prej të cilëve thanë se: “Isa Boletini dhe Zoran Gjingjiqi nuk mund të qëndrojnë në të njëjtin vend”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!