Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka deklaruar të martën se Washingtoni vazhdon të mbështesë Bashkimin Evropian në përpjekjet për të arritur zgjidhje ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Hill, pas takimit që pati me Vuçiqin u shpreh se “një qasje konstruktive është padyshim mënyra për të gjetur një zgjidhje”.
Sipas tij, SHBA dhe BE po veprojnë të harmonizuara në lidhje me Kosovën, duke shtuar se ai beson se të dyja palët e kuptojnë se duhet të arrijnë një zgjidhje.
“Kam pasur një bisedë të mirë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Biseduam për procesin e Brukselit”, u tha Hill gazetarëve para Pallatit të Serbisë.
Ai theksoi se SHBA-të janë shumë të kënaqura me përpjekjet e ndërmarra nga BE-ja dhe qasjen e saj.
Ndërsa duke iu referuar bisedimeve të djeshme ku Përfaqeësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrel pothuajse e bëri Kosovën fajtore që s’pati marrëveshje, Hill nuk la asnjë dilemë.
“Më duket mbresëlënëse që një njeri i një rangu dhe statusi të tillë, Josep Borell, u angazhua për tetë orë në zgjidhjen e çështjes së konstestuese. Ne vazhdojmë të mbështesim BE-në në përpjekjet e saj,” nënvizoi Hill.
Ai tha se i ka bërë thirrje Vuçiqit që të vazhdojë angazhimin e tij konstruktiv në këtë proces.
Hill shpreson se do të gjendet një zgjidhje, por shtoi se duhet të përfshihen të dyja palët.
“Një qasje konstruktive është sigurisht mënyra për të gjetur një zgjidhje,” tha ai, raporton Tanjug.
Ai tha se BE-ja po bën një punë të shkëlqyer, por nuk duhet lejuar që problemet urgjente të lënë në hije çështje të rëndësishme.
Hill tha se BE-ja e ka bërë të qartë se duhen më shumë se 48 orë për të zgjidhur çështjen aktuale. “BE e ka bërë të qartë se do të dëshironte të shihte edhe 365 ditë të tjera,” shtoi Hill.
Për bisedimet e djeshme në Bruksel, ai tha se nuk do të fliste për dështim, por se ajo që ndodhi tregon se ka nevojë për bisedime të mëtejshme.
“Rruga për të arritur një zgjidhje është fleksibiliteti me përpjekjet e ndërmjetësve të BE,” përfundoi Hill.