image Hetimi Parlamentar për energjinë, Abdixhiku: Kushdo që frikësohet nga ky hetim, ka se çfarë të tregojë

Politikë

Hetimi Parlamentar për energjinë, Abdixhiku: Kushdo që frikësohet nga ky hetim, ka se çfarë të tregojë

news image

Mocioni për Komisionin Hetimor Parlamentar për energjinë, sot në Kuvendin e Kosovës nuk ka arritur të miratohet. Deputetët e pozitës nuk e përkrahën këtë mocion hetimi të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

Kjo ka bërë që opozita të reagon duke i bojkotuar të gjitha seancat e Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, sërish ka kërkuar hetim parlamentar për energjinë. Ai përmes një shkrimi në Facebook, ka thonë se mazhoranca sot refuzoi të themelohet ky komision.

Ky refuzim hetimi, thotë Abdixhiku, është shenjë frike e pushtetit rreth së vërtetës që megjithatë do të zbardhet herët apo vonë.

Postimi i Abdixhikut:

HETIM PARLAMENTAR PËR ENERGJINË

Mazhoranca parlamentare sot refuzoi formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për krizën energjetike – një kërkesë legjitime e jona për zbardhjen e së vërtetës mbi shpenzimin e 100 milionë eurove subvencione e shtrenjtimit të faturave energjetike deri në 100%. Pjesë e hetimit do të ishin edhe punësimet nepotike në KEK.

Ky refuzim hetimi, është shenjë frike e pushtetit rreth së vërtetës që megjithatë do të zbardhet herët apo vonë. Sa më i fortë refuzimi, aq më i domosdoshëm bëhet hetimi. Dhe sa më i domosdoshëm hetimi, aq më e drejtë bëhet kërkesa jonë për të. Sjella e mazhorancës, si tregues i arrogancës së numrave që parandalon ushtrimin e detyrimeve kushtetuese të Parlamentit mbi Qeverinë, është praktikë kundërkushtetuese. E njëjta s’mund të vazhdojë.

Kemi qenë konstruktiv në secilën nismë; kemi qenë mbështetës në secilin interes. Kjo sjellje e jonë duket se është marrë si e mirëqenë. Sot, s’ka interes tjetër më madhor se sa hetimi i shtrenjtimit enorm të faturave që prekin secilën shtëpi e familje në Kosovë – e zbardhja e fatit të qindra milionave të shpërndara si subvencion. Kushdo që frikësohet nga ky hetim, ka se çfarë të tregojë.

Prandaj, pa themelimin e këtij Komisionit Hetimor në Kuvend, pa gjetjen e së vërtetës rreth krizës energjetike në Kosovë – asnjë nismë tjetër parlamentare nuk do të merr mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

/GazetaSinjali/