Rreth 30 nxënës janë helmuar pasi kanë konsumuar ushqim në një nga lokalet e gastronomisë në Mitrovicë. Për këtë rast Inspektorati i Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Policia e Kosovës pasi dolën në vendngjarje, lokalit në fjalë i është ndaluar puna përkohësisht, shkruan Gazeta Sinjali.
Nxënësit e gjimnazit “Frang Bardhi” dhe të shkollës fillore të ulët “Anton Zako Cajupi” kanë marrë trajtime mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familje dhe në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicës.
Ndërsa në lidhje me këtë rast, sot kanë dalë analizat nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, ku sipas të njëjtave, pas hulumtimit epidemiologjik dhe rezultateve mikrobiologjike në rastin e helmimit në Mitrovicë, më 5 dhe 6 tetor, rezulton se është shkaktuar epidemi kolektive nga “Salmonella Enteritidis”.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se “Salmonella Enteritidis” ishte gjetur në majonezin që ishte përdorur nga lokali ku u helmuan 30 qytetarë.
Rezulatet e plota nga AVUK:
Majonezi dhe majonez me përshutë kanë rezultuar me Salmonella Enteritidis në rastin e helmimit në Mitrovicë
Më datë 6 tetor 2023 pas orës 18:00, kanë kërkuar ndihmë mjekësore në urgjencën e QKMF në Mitrovicë, pacient si raste të dyshimta në helmim me ushqim me shfaqje të simptomave: temperaturë, ethe, dhimbje barku, mundim, vjellje, dhembje të muskujve dhe kokëdhimbje.
Kryesisht persona (nxënës të shkollave fillore, gjimnazit, shkollës ekonomike dhe shkollës së mesme të muzikës e cila gjendet afër lokalit “Fast Food On Top”). Të gjithë pacientët kishin konsumuar ushqim në “Fast Food On Top” më datë 5 dhe 6 Tetor, 2023 para dite dhe pasdite (hamburgerë me pleskavicë, dyner, chicken burger, majonez, ketchup dhe sallatë ruse).
Pas njoftimit, Inspektorët Sanitarë të AUV-së në Mitrovicë menjëherë kanë dalë në vend ngjarje bashkë me ekipin e QRSHP-ës dhe Policisë. Inspektorët bashkë me Policë kanë nisur inspektimin në lokalin gastronomik të ushqimeve të shpejta “Fast Food On Top”, Rr. Skënderbeu, Mitrovicë.
Fillimisht është ndaluar puna e lokalit sipas legjislacionit në fuqi. Janë marrë katër (4) mostra të ushqimit (hamburger, mishi i pulës, dyner, majonez dhe sallatë ruse) Ato janë dërguar për ekzaminim mikrobiologjik në QLT – IKShPK. Janë marrë katër (4) strisho të mjeteve të punës: nga pjata e servimit të ushqimit, nga shkopi i dynerit, nga tavolina para frigoriferit, nga kapësja e ushqimit. Një strisho nga duart e personit që ka përgatitur dhe shërbyer ushqimin. Në bazë të hulumtimit epidemiologjik dhe rezultateve mikrobiologjike vlerësohet Epidemi kolektive e shkaktuar nga Salmonella Enteritidis. Salmonella Enteritidis u izolua në mostra të ushqimit (majonez dhe majonez me përshutë) dhe në mostra humane. Staphylococcus aureus u izolua në strishot e marra nga duart e personit që ka përgatitur dhe shërbyer ushqimin si dhe nga kapësja e ushqimit. Është iniciuar procedurë kundërvajtëse ndaj personit përgjegjës të biznesit individual (ka kryer kundërvajtje nga neni 16, paragrafi 1 nënpagrafi 1.1 që sanksionohen sipas nenit 40 paragrafi 1.3, të Ligjit Nr. 08/120 për Ushqimin). Subjekti afarist vazhdon te jete i mbyllur deri ne eliminimin e te gjitha mangësive të evidentuara në urdhëresat me proces inspektues.