image Haziri: Ulja e numrit të infeksionit nuk lejon komoditet, festat familjare mund të shënojnë rritje

Shëndetësi

Haziri: Ulja e numrit të infeksionit nuk lejon komoditet, festat familjare mund të shënojnë rritje

news image

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka njoftuar se numri i rasteve aktive është 97, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas Hazirit, kjo rënie e numrit të rasteve aktive është e pritshme, falë menaxhimit të situatës nga institucionet, kurse vlerësimi i shtabit emergjent është se festat familjare mund të ndikojnë në rritje të infeksioneve.

“Sipas vlerësimeve tona kemi 97 raste aktive me COVID-19 në Gjilan. Është rënie e pritur falë menaxhimit të institucioneve tona. U shprehim ngushëllime familjeve që kanë humbur më të dashurit. Edhe më tutje po luftohet me të panjohurën. Ulja e numrit të infeksionit nuk është numër që lejon komoditet. Festat familjare mund të kenë rritje të infeksionit që është vlerësimi i shtabit emergjent”, tha Haziri në një konferencë për media.

Po ashtu, Haziri bëri apel ndaj qytetarëve për bartjen e maskave, kurse shtoi se nëse zvogëlohet numri i rasteve me COVID-19 në muajin janar, mund të thuhet se është muaji i shpresës.

“Mos pranoni shërbime dhe mos jepni shërbime pa masa mbrojtëse. Apeli im i dytë është që të gjitha lokalet e gastronomisë t’i shtojnë masat, t’i shtrëngojnë masat, që të mos pëlcasin burime të reja të infeksionit. Bashkë me Policinë dhe Inspektoratin do të reagojmë në përputhje me ligjet në fuqi”, tha ai.

Që nga fillimi i pandemisë, në Gjilan janë kryer mbi tetë mijë testime për COVID-19, prej të cilëve 3 mijë e 97 kanë rezultuar pozitivë, 2 mijë e 907 janë shëruar, 96 kanë humbur betejën, 97 raste aktive, 26 pacientë janë të hospitalizuar dhe janë 70 mostra në pritje. /Gazeta Sinjali/