image Haziri: Përveç shëndetit publik, detyra jonë 24 orë është që ta ruajmë shëndetin e ekonomisë

Kosovë

Haziri: Përveç shëndetit publik, detyra jonë 24 orë është që ta ruajmë shëndetin e ekonomisë

news image

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, sonte përmes një konference për media, tha se shtimi i rasteve ditëve të fundit kanë bërë që situata të jetë alarmante, shkruan Gazeta Sinjali.

Haziri po ashtu shtoi se po punohet për menaxhim të situatës, gjersa tha se nuk ka vend për panik.

Ai ka apeluar qytetarët që të jenë lojal në vendimet e shtetit sa i përket masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

“Përveç tjerash, jemi në kohën e gripave sezonale dhe kërkohet menaxhim sa më i mirë dhe më i drejtë. Përveç shëndetit publik, detyra jonë 24 orë e shtatë ditë është që ta ruajmë shëndetin e ekonomisë. Pra, po punojmë shumë me të gjithë mekanizmat komunal e regjional, sikurse edhe në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë për menaxhimin e situatës”, ka thënë Haziri, pas takimit të mbrëmjes me Komitetin për menaxhimin e COVID-19.

Kreu i Gjilanit ka njoftuar se në ditët e fundit, asnjë rast i infeksionit nuk është shënuar në shkolla e objekte fetare.

“Shkollat dhe objektet fetare nuk janë burim i infeksionit”, tha Haziri.

Që nga shpërthimi i epidemisë në Gjilan me koronavirus janë regjistruar 1800 raste, prej tyre 1272 janë shëruar, 310 janë raste aktive, 39 të vdekur dhe 120 mostra janë në pritje. /Gazeta Sinjali/