Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri, ka reaguar pas refuzimit të ankesës së Klan Kosovës nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për pezullimin e certifikatës së biznesit.
Ai tha se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, po e ndryshon vërtet vendin, por për të keq.
“Qeveria Kurti sot mori vendimin më të turpshëm në historinë e Kosovës së pasluftës për ta mbyllur njërin prej televizioneve më të mëdha e më profesionale në vend, Klan Kosova”, tha Haziri.
Haziri theksoi se përpos që përkthehet si sulm direkt ndaj lirisë së shprehjes e përpjekje e ulët për t’i disiplinuar gazetarët, “ia qet hijen e zezë Kosovës në botë”.
“Kosovarët janë popull evropian, por fatkeqësia më e madhe është se kanë qeverisje aziatike. Në mbështetje të Klan Kosovës dhe secilit medium të lirë e të pavarur të Kosovës. Mediat kanë gjithmonë të drejtë. Kot e keni”, tha ai.
“Po e riktheksoj se dikush ka vdekur për këtë Republikë, për këtë Liri e për këtë Demokraci, që i ndërtuam me shumë mund e sakrifica, personale e familjare. Dikush është në burg e dikush në Kuvend të Republikës. Shtrohet pyetja, çka do të lini ju pas, kush feston për një ngjarje tuajen dhe para kujt me dërgu lule?!”.