image Haziri pas mbledhjes së LDK-së: Fushata zgjedhore të zgjasë 5 ditë

Politikë

Haziri pas mbledhjes së LDK-së: Fushata zgjedhore të zgjasë 5 ditë

news image

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbajtur sot një takim. Pas përfundimit të këtij takimi, para gazetarëve foli nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, i cili tha se në mbledhjen e kryesisë është diskutuar që fushata zgjedhore të shkurtohet në vetëm pesë ditë.

“Sot u diskutua mbi çështjet që lidhen me procesin zgjedhor të 17 tetorit dhe iniciativën e LDK-së për shkurtimin e fushatës duke pasur parasysh situatën epidemiologjike, duke e konsideruar të rëndësishme situatën me pandeminë dhe dështimin e qeverisë dhe jemi të gatshëm që fushatën me shkurtuar në pesë ditë të vetme duke ftuar edhe partitë politike që të ndërtojnë një kulturë konsensusi sepse jeta e qytetarit është më e rëndësishme. Nevoja e angazhimit të partive politike duhet të jetë në kulturën e konsensusit”, tha Haziri.

Sipas tij, duhet të largohet logjika për shtyrjen e zgjedhjeve lokale. Madje, sipas tij, nuk ka as arsye për shtyrjen e tyre, por vetëm për shkurtimin e fushatës zgjedhore.

“Kryetari ka biseduar edhe me partitë politike, ku presim që 17 tetori të jetë një ditë e bardhë, që qytetarët me votua dhe m’i respektua masat dhe të largohet logjika që të shtyhen zgjedhjet, kjo nuk bën me u lejua që me u thy Kushtetuta, zgjedhjet lokale nuk mund dhe nuk ka autoritet që t’i shtyjë ato.”

Po ashtu, Haziri tha se mund të krijohet një ambient që të shkurtohet fushata.

“Ne presim që sot gjatë takimit me Presidenten me ardhur deri tek një koordinim.”/Gazeta Sinjali/