image Haziri: Konjufcës për 100 ditë i ka ra pushteti në kry

Kosovë

Reagim/ Haziri: Konjufcës për 100 ditë i ka ra pushteti në kry

news image

Vdekja e 26-vjeçarit në Qendrën e Studentëve, në rrethana ende të pasqaruara, ka përplasur ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, me kreun e Gjilanit, Lutfi Haziri.

Në “Interaktiv”, Konjufca ka akuzuar Hazirin se ndikoi në kthimin e Agon Musliut, duke shpërfillur institucionet.

Sipas Konjufcës, kthimi i tij në Kosovë s’do të duhej të ndodhte, meqë Haziri kishte përmendur se 26-vjeçari ndodhej në depresion.

Derisa ka ftuar organet e hetuesisë që të zbardhin këtë rast, Konjufca ka thënë se për rastin nuk u njoftua as nga ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj.

Por kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, i është përgjigjur shkurt Glauk Konjufcës, duke thënë se pushteti 100-ditor e ka çorientuar shefin në detyrë të diplomacisë.

“Për 100 ditë i ka ra pushteti në kry dhe e ka humb racionalitetin, me vjen keq prej tij”, ka thënë Haziri për KTV-në.

Haziri nuk ka dashur fare të komentojë detajet se si koordinoi kthimin e të riut në Kosovë me Ambasadën e Kosovës në Berlin.

Televizioni ka provuar të kontakojë me ambasadorin Beqë Cufaj për të marrë qëndrimin e tij, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve e mesazheve të dërguara.

Ndërkaq Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar se hetimet rreth vdekjes së 26-vjeçarit janë duke vazhduar, por gjatë të enjtes kjo prokurori nuk ka dhënë detaje të tjera. /Gazeta Sinjali/