image Haziri: Kërkuam që Agoni të vetizolohet në shtëpi

Kosovë

Reagim/ Haziri: Kërkuam që Agoni të vetizolohet në shtëpi

news image

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se institucioni që drejton kishte kërkuar nga Qendra Operativë në Prishtinë që tashmë i ndjeri Agon Musliu i cili i dha fund jetës pasditen e së dielës, të vetëizolohet në shtëpi dhe të mos dërgohet në karantinë.

Sipas Hazirit, fillimisht Komuna e Gjilanit pas kërkesës së familjes kishte kërkuar që i ndjeri të kthehet sa më shpejtë në shtëpi dhe Ambasada e Kosovës në Berlin e kishte marrë parasysh duke ia aprovuar kërkesën.

Pas mbërritjes në aeroport, babai i të ndjerit ka tentuar të takojë djalin por nuk është lejuar. Pasi nuk i është mundësuar takimi, Naim Musliu ka kontaktuar me Komunën e Gjilanit duke kërkuar që djali të mos dërgohet në Qendrën e Studentëve. E sipas Hazirit, Komuna menjëherë ka kontaktuar me Prishtinën duke e parashtruar këtë kërkesë.

“Vet fakti që mënyra e organizmit dhe kthimit prej Gjermanisë në Kosovë ka qenë përmes institucioneve të Kosovës, Komuna e Gjilanit i ka bërë kërkesë Ambasadës në Berlin, ambasada ka reaguar në përputhje me dokumentacionet e dëshmuara dhe ka organizuar kthimin me aeroplanin e parë dhe ky është realizuar. Falënderoj shumë reagimin e ambasadorit dhe ambasadës në mënyrën dhe me formën adekuate sepse ne kemi plotësuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar për këtë rast të cilit i është dhënë prioritet. Në Prishtinë i është nënshtruar rregullave të Prishtinës, mandej ne nuk kemi pasur fuqi, nuk kemi pasur mundësi tjetër, babai i tij i cili ka qenë në kontakt me Komunën ka qenë personalisht në aeroport është mundur të kontaktojë djalin, nuk e kanë lejuar dhe ai na ka lajmëruar neve. Në momentin që është lajmëruar te ne, ne kemi vazhduar me këmbëngulë ,e Qendrën Operative në Prishtinë me dëshmimin e rastit të Agronit që të lirohet dhe me ardh pranë familjes së vet”, tha Haziri.

Kreu i Gjilanit tha se komuna që drejton po kalon nëpër një tragjedi të paimagjinueshme dhe një dhimbje të madhe pas rastit të 25-vjeçarit Agon Musliu.

Ai tha se Agoni është njohur si djalë i urtë, student i shkëlqyeshëm dhe si familjar jashtëzakonshëm, por kthimi i tij, karranitmi i tij dhe akti i vetëvrasjes ka qenë fatal.

Haziri ka kërkuar më këmbëngulje që i gjithë rasti të zbardhet i plotë dhe premtoi se nuk do të lejojë që emri i të ndjerit të mos politizohet apo të përdoret për qëllime të tjera.

“Kërkojnë që organet e drejtësisë të zbardhin rastin deri në fund, kërkojmë që me i dhënë paqe familjes dhe neve qytetarëve të Gjilanit duke e zbardhur rastin, këtë paqe njerëzore dhe shpirtërore ia kemi për obligim familjes së tij, ia kemi për obligim vetvetes, ia kemi për obligim çdo njeri i cili është tronditur nga akti i rëndë i vetëvrasjes fatale që ka ndodhur dje në konviktet e karantinës të përcaktuar nga Qeveria e Republikës. Do të vazhdojmë të qëndrojmë afër familjes duke mos e politizuar, duke mos lejuar asnjë mënyrë me laku emrin e tij për motive të tjera”, u shpreh Haziri.

Po ashtu, Haziri tha se ende është duke pritur zbardhjen e rastit të një tjetër të riu gjilanas në Burgun e Dubravës. I ndjeri i cili nuk ka pasur familjarë te tjerë dhe ka lënë një fëmijë 4-vjeç për të cilin po kujdeset autoritetet komunale në Gjilan.

Duke përmendur edhe rastin e gjetjes së një trupi të pajetë në malet e Karadakut, si dhe një tentim vetëvrasjeje si dhe një aksident me motoçikletë, Haziri tha se do të kujdesen për çdo rast veç e veç e duke kërkuar drejtësi.

“Ju e dini në kemi kërkuar edhe vetëvrasjen e një të riut në burgun e Dubravës i cili ka pasur të lirohet e ditën e lirimit ka vdekur. Ne ende nuk kemi marrë zbardhje nga ana e Drejtorisë së Burgjeve dhe Ministrisë së Drejtësisë. Rasti në fjalë nuk ka pasur familjarë, është pritur nga institucionet e Kosovës, e ka lënë një djalë 4-vjeçar i cili është në kujdesin e komunës dhe prindi i këtij rasti është Komuna. Ne do të kujdesemi për çdo rast veç e veç dhe natyrisht edhe kjo ka qenë një tronditje të cilën e kemi kaluar. Kemi pasur një tentim vetëvrasje në familjen Maloku në Gjilan i cili rast është në gjendje kritike, por me besim të madh që do ta përballojë këtë situatë dhe një aksident të rëndë ku një i ri ka humbur jetën me motoçikletë gjatë vozitjes në kohë pandemie. Po ashtu, policia ka njoftuar që dje është gjetur një kufomë në malet e Karadakut të Gjilanit i cili është për obduksion dhe për hetime nga ana e policisë dhe organeve të shtetit”, përfundoi Haziri.

Ndryshe, gjatë ditës, kreu i Gjilanit ka qëndruar për ngushëllime në familjen Musliu, në fshatin Livoҫ të Epërm të Gjilanit.