Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se s’ka kurrfarë ngërçi në lidhje me ndërtimin e koalicionit mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Në një postim në Facebook, ai thotë se “nuk bëhet fjalë për ndarje të ‘kulaçit’” por thotë se vonesat po shkaktohen si pasojë e procesit të rinumërimit të votave.
“Mos keni dert. Nuk ka asnjë lloj ngërçi dhe asnjë lloj hezitimi sa i përket të ardhmes në ndërtimin e një koalicioni LDK-VV, si fitues të zgjedhjeve të fundit nga kampi opozitar. Janë arritur shumë pajtueshmëri, siç janë ato në sektorin e ekonomisë, shëndetësisë dhe në sektorin e politikave terciale. Arsyeja e vetme e vonesave është çështja e ankesave sa i përket rezultateve të numërimit. Nuk bëhet fjalë për ndarje të ‘kulaçit’”, ka shkruar Haziri.
Lëvizja Vetëvendosje po insiston për një takim mes liderëve të këtyre dy partive, Kurti e Mustafa, në mënyrë që të finalizohet marrëveshja për koalicion qeverisës.
Por, LDK-ja po kërkon që takimi të ndodhë vetëm pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit./Gazeta Sinjali/