Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i ka bërë kërkesë publike kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe.
Përmes një postimi në Twitter, Lutfi Haziri, ka thënë se vendimet e vështira e bëjnë një lider të suksesshëm.
“Vendimet e vështira e bëjnë një lider të suksesshëm. Jo gjithmonë vendimet e duhura për të tashmen, por të domosdoshme për të ardhmen. Është koha për të hequr tarifën! Vlerësimet e reciprocitetit shkojnë paralelisht. Është koha për vendime të vështira, por të nevojshme”, ka shkruar nënkryetari i LDK-së.
Kujtojmë që paralajmërimi i Kurtit për zëvendësimin e tarifës me masën e reciprocitetit në të gjitha fushat, nxiti reagimin e ish-kryeministrit Haradinaj, i cili përmes një letre publiku, ju lutë Kurtit që mos bëjë largimin e tarifës, pasi sipas Haradinajt kjo gjë e gëzon dhe është e dobishme vetëm për Serbinë. /Gazeta Sinjali/