Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka folur rreth gjendjes me pandeminë COVID-19 në Kosovë, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas tij, ka ardhur koha që Kosova të hyjë në fazën e normalizimit të pandemisë COVID-19, teksa ka kërkuar që paralelisht me vaksinimin të filloj edhe lehtësimi i masave antiCOVID.
“Kërkoj zbatimin e rekomandimeve të IKSHPK-së, në anën tjetër qeveria e ka për obligim me rishiku. Ka ardhur koha me hy në fazën e normalizimit. Faza e normalizimit nuk është akt por proces. Normalizimi nga pandemia është një proces i cili paralelisht me vaksinimin duhet të filloj edhe lehtësimi. Hapja e restoranteve, lejimi i ahengjeve dhe dasmave me kufizime dhe mbikëqyrje, rikthimi i teatrove, rikthimi i shikuesve në stadium me një numër të caktuar por në një numër shumë më të madh dhe besoj që do të jetë hapi i parë drejt normalizimit”, tha ai në një konferencë për media.
Po ashtu, Haziri tha se Qeveria Kurti 2 nuk ka guximin që të veproj në këtë drejtim si dhe nuk ka një plan mbi menaxhimin e pandemisë COVID-19.
“Por, kjo qeveri nuk e ka guximin me vepru në këtë drejtim sepse edhe më tutje po shihet që nuk ka plan detaj mbi menaxhimin e drejtpërdrejt të pandemisë dhe realizimit të masave dhe kërkesave që kërkohen nga institucionet për ruajtjen e shëndetit publik”, tha Haziri.
Ai vlerëson se Qeveria Kurti 1, ishte më efikase, më e zhurmshme si dhe më koordinuese në menaxhimin e pandemisë COVID-19.
Haziri shtoi se kjo qeveri më shumë po merret me probleme të brendshme dhe me zhurmë politike e me akuza të ndërsjellta.
“Këtë e them nga përvoja pesë javore krahasim me fillim e pandemisë kjo qeveri, Qeveria Kurti 1 ka qenë shumë më efikase, më e zhurmshëm, më koordinuese në menaxhimin e situatës sesa këto pesë javë e këtij kabineti të dytë. Më shumë po merren me probleme të brendshme, me debat të brendshëm, me zhurmë politike e dhe me akuza të ndërjsellta duke marrë rolin defantis të mbrojtës së ministres, ministrit apo politikës të caktuar ditore se sa në menaxhimin me menaxhimin e proceseve e në veçanti me pandeminë”, theksoi Haziri.
Haziri thotë se ka bashkëpunim me institucionet e Qeverisë Kurti por kërkon që të ketë më shumë azhuritet për programet financiare dhe koordinim më të mirë të ministrave./Gazeta Sinjali/