Nënkryetari i LDK-së (Lidhja Demokratike e Kosovës) Lutfi Haziri, me rastin e shënimit të 12 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka uruar të gjithë qytetarët duke shtuar se duhet të punohet më shumë për shqiptarët e Kosovës Lindore, siç e quan ai, pjesë e pazgjidhur.
Nënkryetari Haziri përmes një statusi në Facebook thotë se për këtë Republikë kanë derdhur gjak breza e gjenerata të tëra, por shton se këto 12 vjet bashkë me dhimbjet, do të kalojnë në interes të zhvillimit të vendit./GazetaSinjali/
Postimi i plotë:
Uroj çdo qytetar kudo që është për 17 Shkurtin, ditën e shpalljes së Republikës së dytë të Kosovës, Republikës formale dhe të pranimit ndërkombëtar, pas bisedimeve të Vjenës.
Kjo Republikë vjeneze na gëzon të gjithë neve, por duhet të bëjmë më shumë që shqiptarët e Kosovës Lidore, ajo pjesë e pazgjidhur, të mos harrohet, të jetë në plotninë e saj dhe i gjithë populli ta gëzojë këtë ditë të shenjtë dhe të madhe të lirisë.
Për Republikë, kanë derdhur gjakun breza e gjenerata të tëra, por në fund, besoj që këto 12 vjet janë një dekadë e më shumë që ne po e gëzojmë dhe po e rrisim Republikën tonë, me dhimbjet e saj, duke besuar që kjo do të kalojë në interes të zhvillimit të vendit!