Ministria e Drejtësisë këtë muaj do të procedojë drejt Kuvendit të Kosovës ndryshimet e pakos ligjore të sistemit prokurorial, plotësim-ndryshime këto që rrjedhin nga Strategjia për Sundimin e Ligjit 2021–2026 dhe që mori dritën e gjelbër edhe nga Komisioni i Venecias.
Kështu ka bërë të ditur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila ka theksuar se nuk do të heqë dorë nga vettingu përkundër kundërshtimeve nga Bashkimi Evropian. Haxhiu flet edhe për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri të shtetit si dhe padinë ndaj shtetit serb.
Ministrja Haxhiu u shpreh se ndryshimet e parapara në paketën ligjore të KPK-së, shpejt do t’i adaptojnë dhe grupi punues është duke punuar në këtë drejtim.
Ajo thotë se të gjitha dilemat që kanë pasur për këto ndryshime tashmë janë hequr pas opinionit të Komisionit të Venecias.
“Ky opinion adreson tri çështje që për mua janë të rëndësishme, e para thekson që numri gjegjësisht nga 13 në 7 është në përputhje me standardet evropiane dhe kësisoj e mbërrijmë balancën në mes të anëtarëve prokurorë dhe anëtarëve jo prokurorë që të zgjidhet nga Kuvendi i Kosovës”.
Po ashtu, ajo shton se “Venecia konsideron se në qoftë se qëllimi është për ta depolitizuar KPK-në, për ta bërë atë sa më efikas justifikohet që të gjithëve t’u ndërpritet mandati nëse nuk është kështu dhe nuk mund të justifikohet dot qëllimi që e keni atëherë të paktën disa të lihen që të përfundojnë mandatin”.
“E treta ku kemi pasur qëndrime komplet të ndryshme është çështja e kryeprokurorit në KPK sepse strategjia për sundimin e ligjit rekomandon që kryeprokurori për shkak të ndikimit që po ka tek anëtarët e KPK-së të largohet nga KPK, të sqarohen pastaj kompetencat e kryeprokurorit dhe KPK-së. Venecia rekomandon që të mbetet ndonëse nuk thekson që heqja e tij është në shpërputhje me standardin”.
“Ne shumë shpejt do t’i adaptojmë këto komente të Venecias dhe do ta procedojmë në Kuvend në janar”, theksoi ajo për KP.
Përkundër kësaj, Haxhiu beson që procesi i vettingut është reforma më e thellë në sistemin e drejtësisë për çka tashmë ekziston edhe drafti i parë i amendamenteve kushtetuese, duke shtuar se është koha e fundit që të avancohet me procesin e vetingut./GazetaSinjali/