Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i ka parashtruar pyetje kryeministrit Kurti se a është me kompaninë e Pfizerit apo Sputnikut të Rusisë.
Këto deklarime Haxhiu i ka bërë në seancën e sotme, duke thënë se Kurti nuk ka treguar se me cilat kompani të tjera kanë marrëveshje.
“Nuk janë 100 kompani, janë 2-3 shumë kredibile dhe 2-3 të diskutueshme. A je me Pfizerin apo Sputnikun”, ka thënë Haxhiu.
Ndërsa, ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka deklaruar se në Qeverinë Kurti janë rritur rastet dhe vdekjet me koronavirus, duke thënë se Qeveria e kaluar Hoti ka kryer disa punë në trajtimin e pandemisë.
Deputeti Zemaj tha se ka pasur angazhim nga dikush për sigurim të vaksinës në rrugët e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe nga Kina, mirëpo sipas tij, kjo nuk është lejuar.
“Plani i imunizimit, mirëmbajtja, listat e QKMF-së, grupet se kush duhet të vaksinohet, janë të siguruara në dorë të Ministrisë”, ka thënë Zemaj.
Zemaj ndër të tjerash ka përmendur sigurimin e vaksinës gjatë udhëheqjes së tij në MSH, ku ka thënë se sigurimi i 720 mijë vaksinave u ka kushtuar mbi 10 milionë euro.
“Duhet përshëndetur sigurimi i 720 mijë vaksinave që në vlerë monetare i kalon më shumë se 10 milionë euro”./GazetaSinjali/