Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u është kundërpërgjigjur Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial, pasi që këta të fundit e cilësuan si interferim në punën e tyre deklaratën e ministres se MD nuk do t’i mbështet këto këshille, nëse ata i mbyllin sytë përballë shkeljeve e skandaleve në sistemin e drejtësisë, raporton Gazeta Sinjali.
Haxhiu tha se ministria që ajo udhëheq nuk do t’i mbyll asnjëherë sytë ndaj padrejtësive dhe shkeljeve.
“Jo vetëm unë, po s’ka asnjë raport të vetëm në të cilin nuk evidentohen problemet e mëdha në sistemin e drejtësisë dhe si ministri, përditë përballemi me shqetësimet e qytetarëve në raport me mosveprimin e institucioneve të drejtësisë. Vonesat në trajtim të lëndëve, ndikimet në sistem, neglizhenca dhe shumë të tjera janë vetëm disa nga problemet me të cilat përballet sistemi i drejtësisë.”
“Qeveria jonë ka marrë mandatin e kthimit të besimit qytetar në institucionet e drejtësisë dhe për këtë do të punojmë pa u ndalur. Bashkëpunimi me institucionet e drejtësisë, është i rëndësishëm, në kuptim të krijimit të kushteve të punës me qëllim të zbatimit të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore. Asnjëherë nuk do t’i mbyllim sytë përballë padrejtësive e shkeljeve”, shkroi ndër të tjera ajo në Facebook.
Sipas saj, skandalet në sistemin e drejtësisë janë alarm dhe kjo, thotë ai, duhet të përbënte shqetësim edhe për vetë KGjK-në dhe KPK-në.
“Skandalet në sistemin e drejtësisë janë alarm dhe kjo duhet të përbëj shqetësim edhe për vet këshillat përkatës dhe është në mandatin tim kushtetues të bëj thirrje për zbatimin e kompetencave të tyre kushtetuese dhe ligjore. Barikadimi nuk i ndihmon sistemit e as nuk është shërbim të drejtësisë.”
E para e Drejtësisë tha se tani është koha e fundit për të punuar dhe për t’u angazhuar në shërbim të drejtësisë, pasi që, thotë se këtë ua kanë borxh qytetarëve dhe vendit./Gazeta Sinjali/