image Hasmëria ndërmjet familjeve Shala dhe Hoxha në Prizren – kush janë të përfshirët dhe si nisi gjithçka?

Ekskluzive

Hasmëria ndërmjet familjeve Shala dhe Hoxha në Prizren – kush janë të përfshirët dhe si nisi gjithçka?

news image

Gazeta Sinjali mëson se tre persona janë identifikuar si të dyshuar për vrasje të mbetur në tentativë dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, në incidentin e armatosur që ndodhi mbrëmjen e 5 janarit 2026 në rrugën “Ali Hadri” në Prizren.

Të dyshuarit janë: Gabrijell Shala, Egzon Reshani, Arlind Hoxha.

Sipas hetimeve fillestare, të dyshuarit dyshohet se janë përfshirë në një shkëmbim zjarri me armë zjarri, ku si pasojë janë plagosur dy persona.

Viktimat, siç merr vesh Gazeta Sinjali janë Fidan Tabaku dhe Veton Hoxha, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit dhe, sipas mjekëve, gjendja e tyre është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

Hetimet kanë zbuluar se incidenti ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme.

Dhe po, gjithçka nisi janarin e vitit të kaluar, kur u shkrepën armët në një pompe derivatesh te Tranziti i Ri në Prizren.

Të dyshuar e ndaluar ishin Altin Hoxha dhe Arlind Hoxha, familjarë mes vete, si dhe Fidan Tabak.

Sinjali kishte mësuar se në këtë rast përveç Altin Hoxhës është i përfshirë edhe vëllai i tij, Festim Hoxha dhe të dy janë djemtë e të ‘fortit’ të Prizrenit, Beqir Hoxhës, i njohur si Beqa.

Ata kishin shtënë ndaj anëtarëve të familjes Shala. Për kë rast, majin e vitit të kaluar ishte ngritur edhe aktakuzë.

Pavarësisht kësaj, mosmarrëveshjet kishin vazhduar. Një anëtar i familjes Shala kishte mbetur i plagosur në të dy këmbët nëntorin e kaluar.

Ndërsa, të afërm të këtij të fundit duket se kanë marrë mbrëmë hak, në anëtarët e familjes Hoxha.

Për rastin e mbrëmjes së kaluar, me autorizim të Prokurorisë së Shtetit janë kryer bastisje në disa lokacione të lidhura me të dyshuarit, por ata nuk janë hasur dhe aktualisht ndodhen në arrati. Për këtë arsye, të njëjtit janë shpallur në kërkim policor.

Rasti po trajtohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndërsa njësitë rajonale të hetimeve janë duke vazhduar veprimet për kapjen e të dyshuarve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti të rëndë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/