Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është takuar me ambasadorët e vendeve të QUINT-it.
Raportohet se amabasadorët janë parë teksa futen në pjesën e Presidencës që ndodhet në objektin e Kuvendit të Kosovës.
Ky takim me ambasadorët nuk është paralajmëruar fare, ndërkaq takimet konsultative pas mocionit të mosbesimit me disa prej partive tanimë janë të konfirmuara. Ato pritet të zhvillohen gjatë ditës së nesërme.
Këtë takim e ka refuzuar publikisht Lëvizja Vetëvendosje, ku sipas tyre nisja e takimeve për një qeveri të re është jokushtetuese pasi, siç thonë ata, votimi i mocionit të mosbesimit nënkupton që vendi të shkojë në zgjedhje.
Lideri i kësaj partie, tani kryeministër në detyrë, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme i bëri thirrje presidentit që të mendojë për datën e zgjedhjeve./Gazeta Sinjali/