image Haradinaj thumbon për veteranët: Kur i ka kapë zori për vota, kurrkush s'po iu del i rrejshëm!

Kosovë

Fushatë/ Haradinaj thumbon për veteranët: Kur i ka kapë zori për vota, kurrkush s’po iu del i rrejshëm!

news image

Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, Ramush Haradinaj, në Deçan ka thënë se është turp për këdo që guxon të fyejë deçanasit duke thënë se mes tyre ka veteranë të rrejshëm.

Haradinaj porositi veteranët që mos t’i besojnë atyre, që siç tha, tash i thërrasin për kafe dhe e puthin flamurin.

“Tash kur i kapi zori për vota, tash po iu ngajnë, tash nuk po ju del kurrnjë i rrejshëm. Njëherë thanë jo ky i korruptuar, ky është kështu, ky është i rrejshëm edhe i larguan, tash po iu shkojnë te shtëpia vrap, ku jeni po thonë i kemi ra pishman. Jo kurrë nuk i kam ra pishman, më ka fal Zoti në këtë tokë, jam i Deçanit, prej zorit mu ka deshtë me luftu, nuk ka njeri që lufton prej qejfit. Me i ardhë  puna atdheut tim në kofsha duke marrë frymë edhe një herë, edhe 100 herë i mbathi çizmet se është vendi im, është e drejta ime, është populli im. Nëse nuk e kam rrejt popullin tim, kurrë nuk kam me e rrejt mikun, kurrë nuk kam me e rrejt Amerikën, por mos të harrojmë një gjë me Serbinë jemi nda me luftë, keni parasysh.

Haradinaj, i cili pretendon se në Kosovë janë rreth 60 mijë veteranë, u ankua se ia kanë nxirë jetën duke e akuzuar se ai e ka fryrë numrin e veteranëve.

Kujtojmë se, një vit më parë, Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK),  ka ngritur aktakuzë ndaj ish-krerëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve, Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjahajt, Shkumbin Demaliajt, Qelë Gashit, Shukri Bujës, Ahmet Dakut, Rrustem Berishës, Faik Fazliut, Smajl Elezajt, Fadil Shurdhajt e Xhavit Jasharit, për “Keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar, që ndërlidhen me fryrjen e listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./Gazeta Sinjali/