Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka zhvilluar sot një takim me deputetët e zgjedhur të kësaj partie, ku është diskutuar për situatën aktuale politike dhe nevojën për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja.
Sipas njoftimit të PDK-së, në takim është vlerësuar se procesi i konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve duhet të përmbyllet pa vonesa të mëtejshme.
PDK-ja ka bërë të ditur se vazhdimi i bllokadës institucionale nga ana e partisë në pushtet, pas një periudhe të gjatë pasigurie politike dhe zgjedhjesh të njëpasnjëshme, vetëm sa e thellon krizën, pengon zhvillimin ekonomik dhe dëmton interesin e qytetarëve dhe të shtetit.
Deputetët e zgjedhur të PDK-së kanë ritheksuar se Kosovës i nevojiten institucione të afta për t’u përballur me sfidat me të cilat përballet vendi, duke u fokusuar në prioritetet e qytetarëve: zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale, forcimin e shtetit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.
Partia Demokratike e Kosovës i ka kërkuar subjektit politik që ka dalë i pari në zgjedhje që të marrë pa vonesë përgjegjësinë kushtetuese dhe politike që i takon për zhbllokimin e procesit të krijimit të institucioneve.
“Kosova ka nevojë urgjente për stabilitet politik, institucione funksionale dhe vendimmarrje që u përgjigjet pritjeve të qytetarëve, jo për zvarritje të proceseve që dëmtojnë interesin publik dhe të ardhmen e vendit”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!