Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla nuk mund të kritikohet për veprimet apo deklaratat që ajo i ka bërë në të kaluarën, transmeton Sinjali.
“Rregullat për ta shkarkuar janë me kushtetutë dhe rregullore. Administrativisht nëse nuk kemi vota për ta shkarkuar Qeverinë, mund ta shkarkojë atë [Gërvallën] vetëm kryeministri, tjetër askush. Unë nuk e kam kërkuar dorëheqjen e saj, askush s’mund të akuzohet për veprimet që i ka bërë para se të bëhet ministre, pasi e ka bërë në rrethana të ndryshme. Nga koha kur e ka marrë mandatin, duhet t’i mblidhen sukseset dhe mos-sukseset”, ka thënë ai për Reporterin.
Tutje ai ka shtuar se Donika Gërvalla, nuk është faktor, duke e quajtur të kotë pozitën e saj në Qeverinë Kurti 2.
“Ne jemi vend i vogël dhe pozita e ministrit të punëve të jashtme është e kotë, pasi politikat e shtetit i bën kryeministri. Kurrfarë faktori s’është ajo, faktor është Albin Kurti dhe askush tjetër në këtë Qeveri. Albini e ka bërë ministre dhe ai po e mban pasi ai ka një marrëveshje koalicioni. Ne nuk kemi bërë asnjë mocion mos-besimi ndaj saj në Kuvend. Sikur të kishte bërë PDK-ja mocion mos-besimi ndaj ministres së Punëve të Jashtme, do ta mbështesja ose s’do ta mbështesja, ose do të shkarkohej ose jo në Kuvend”, tha Haliti.