Një tjetër vrasje ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Kosovë, konkretisht në Shtime. Dyshohet se dy persona kanë hyrë në një shtëpi për të vjedhur. Nga kjo ngjarje është vrarë njëri prej dy grabitësve ndërsa është plagosur pronari i shtëpisë. Sinjali mëson nga burime brenda Prokurorisë së Ferizajt, se njëri prej të dyshuarve ka ikur dhe dyshohet se me vete i ka marrë 24 mijë fraga, nga kjo shtëpi.
Këtë rast për Sinjalin e ka konfirmuar Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari.
“Rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm ka ndodhur një vrasje në Shtime. Dyshohet se viktima është personi që ka hyrë për të grabitur në një shtëpi private. Pronari i shtëpisë ka mbetur i plagosur ndërsa një person që dyshohet se ishte grabitës, ka ikur nga vendi i ngjarjes”, tha Jashari për Sinjalin.
Sinjali mëson se personi që mbeti i plagosur (pronari i shtëpisë në Shtime, ku ndodhi vrasja dhe plagosja), ishte mërgimtar.
Kjo është vrasja e dytë brenda pak orësh në Kosovë. Mbrëmë është vrarë edhe një grua në Prizren dhe personi që dyshohet se kreu “vrasjen e rëndë” është bashkëshorti i saj./Sinjali/