Ministrja e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, deklaron se krijimi i Gjykatës Komerciale është një shans i mirë që Kosova të mos përfundojë gjithmonë në arbitrazhet e jashtme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, përcjell Gazeta Sinjali.
Ajo është shprehur optimiste se me krijimin e gjykatës do të zgjidhet një numër i madh i lëndëve ekonomike.
“Ne do të marrim masa pikërisht për krijimin e një njësie që i merr parasysh ankesat e bizneseve, lidhur me investimet, por në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë edhe për krijimin e Gjykatës Komerciale. Kjo do të jetë një shans i mirë për bizneset, për investitorët, por do të jetë një shans e mirë që edhe Kosova të mos përfundojë gjithmonë në arbitrazhet e jashtme në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, thotë ajo.
Kurse, Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi shpreson se gjatë këtij mandati të qeverisë do të finalizohet themelimi i Gjykatës Komerciale, për të cilën bizneset kanë adresuar kërkesa tash e sa kohë.
Si Odë e Afarizmit, Krasniqi thotë se i kanë dërguar rekomandimet e tyre qeverisë Kurti, teksa shton se kjo e fundit duhet t’i zgjidhë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me biznes.
“Kësaj radhe ne presim që do të jetë më e shpejtë, marrë parasysh që kemi një qeveri, e cila është më stabile. Si Odë e Afarizmit i kemi dërguar rekomandimet tona qeverisë, për kërkesat tona, për numrin e gjykatësve, por edhe që kjo gjykatë shumë shpejt të shkojë dhe në qeveri të diskutohet, pastaj të shkojë edhe në parlament të votohet, pasi është një nga pengesat e mëdha të bërit biznes dhe një nga pengesat për ardhjen e investimeve të huaja”, thotë ai.
Krahas kësaj, Krasniqi thekson nevojën për ligjin për falimentim dhe atë mbi pagesa.
Mes tjerash, ai foli edhe për rëndësinë e shqyrtimit të shpejtë të lëndëve të vjetruara nga Gjykata Komerciale, në mënyrë që t’u hapet rrugë lëndëve të reja. /Gazeta Sinjali/