Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, në konferencën për shtyp që është mbajtur sot ka deklaruar se ata kanë informuar prokurorinë dhe policinë për mënyrën se si është nënshkruar, sipas saj udhëzimi administrativ i cili ka mundësuar një kompanie private të krijojë monopol në sektorin e naftës, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas saj, ish-ministri i Tregtisë, Vesel Krasniqi, i cili është pjesë e Nismës Socialdemokrate kishte nënshkruar një udhëzim të jashtëligjshëm i cili i ka mundësuar vetëm një kompanie të kryejë shenjëzimin e naftës.
“Kemi trashëguar një udhëzim administrativ që është draftuar në mënyrë të jashtëligjshme dhe është aprovuar nga ish ministri Veseli. Ish kryeministri Hoti i ka bërë thirrje që të anulojë këtë vendim mirëpo ai ka vazhduar me nënshkrimin e kontratës për markimin dhe monitorimin e tregut të naftës. Udhëzimi administrativ ka qenë i paligjshëm madje ka lejuar një kontratë që ka klauzolë arbitrazhi dhe ne nuk kemi mundur të anulojmë klauzolën që lidhet me markimin dhe monitorimin. Kemi informuar organet e rendit policinë dhe prokurorinë e cila është duke bërë hetime për udhëzimin administrativ që është nënshkruar jashtëligjshëm nga zyrtarët e Ministrisë tonë”, ka thënë ajo. /Gazeta Sinjali/