image Gutierrez për vendimin ndaj Klan Kosovës: Ndërhyrje e qartë e Qeverisë në punën e mediave

Sociale

Gutierrez për vendimin ndaj Klan Kosovës: Ndërhyrje e qartë e Qeverisë në punën e mediave

news image

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, tha se vendimi i MINT-it për suspendimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova nuk i prek vetëm gazetarët dhe pronarët e mediave në Kosovë, por edhe të drejtën e qytetarëve për të pasur qasje në informata.

“I afekton të gjithë gazetarët dhe të gjitha mediat në Kosovë dhe prandaj organizatat ndërkombëtare që i përfaqësojnë gazetarët, por edhe punëtorë të mediave dhe organizata për lirinë e shprehjes kanë reaguar, prandaj ne reaguam. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Klan Kosovën, ka të bëjë me lirinë e informimit, kjo nuk ka të bëjë vetëm me media dhe gazetarë profesionistë, ka të bëjë me të drejtën e qytetarëve të Kosovës që të kenë qasje në informata. Pra ajo që po sfidohet këtu është e drejta e çdo qytetari në Kosovë, prandaj ne e konsiderojmë këtë si një rast shumë serioz dhe do ta ndjekim nga afër situatën dhe do të reagojmë shumë fuqishëm nëse ka vendim të qeverisë që ta suspendojë përsëri, apo të tentojë ta mbyllë Klan Kosovën”, tha Gutierrez në Rubikon.

Ai tha se ky vendim i MINT-it është ndërhyrje e qartë nga qeveria në punën e një transmetuesi privat.

“Është e qartë se kur e suspendoni, apo anuloni certifikatën e biznesit të një medie, pasoja e drejtpërdrejt është mbyllja e asaj media. Nëse je media private nuk mund të mbijetosh pa certifikatën e biznesit, pra është ndërhyrje e qartë nga qeveria, nga autoritetet në operimin e një transmetuesi privat. Ky është një sulm, është një shkelje e lirisë së medias dhe prandaj reaguam ne dhe nuk ishim të vetmit, siç e përmendët edhe ju edhe organizata tjera të lirisë së shprehjes nëpër botë reaguan, kjo është shumë serioze dhe prandaj në reaguam dhe do të vazhdojmë ta përcjellim këtë rast nga afër”, potencoi Gutierrez. 

/GazetaSinjali/