image Gruaja ther me thikë burrin me të cilin bashkëjeton në Prizren, dërgohet në gjendje të rëndë në spital

Siguri

Gruaja ther me thikë burrin me të cilin bashkëjeton në Prizren, dërgohet në gjendje të rëndë në spital

news image

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, ku shpesh herë konfliktet mes familjarëve kalojnë muret e shtëpive duke u dashur intervenimi i Policisë për të zgjidhur problemet. Por shpesh herë mosmarrëveshjet kalojnë në sulme të rënda fizike ndaj njëri-tjetrit, raporton Gazeta Sinjali.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në rrugën ‘Vëllezërit Frashëri’ në Prizren, ku një grua dyshohet se ka therur me thikë burrin me të cilin bashkëjeton tash e një kohë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Spitalit Rajonal të Prizrenit kanë bërë me dije se një 36-vjeçar është dërguar atje në gjendje të rëndë, si pasojë e lëndimeve që kishte marrë nga therja me thikë.

Pas intervenimit të mjekëve, gjendja shëndetësore e viktimës është stabilizuar dhe i njëjti ndodhet jashtë rrezikut për jetë, ani pse po vazhdon trajtimin në spital si pasojë e asaj që thika dyshohet t’i ketë depërtuar deri në mushkëri.

Stafi shëndetësor ka njoftuar Policinë lidhur me rastin, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë deklaratën e viktimës. I njëjti ka bërë me dije se pas një mosmarrëveshje me partneren e tij, kjo e fundit e ka therur me thikë.

E dyshuara është arrestuar nga Policia në shtëpinë ku ka ndodhur ngjarja dhe e njëjta është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 31-vjeçares t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe e njëjta do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e dy veprave penale ‘Lëndim i rëndë trupor’ dhe ‘Dhunë në familje’.

/GazetaSinjali/