Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, kanë diskutuar për situatën në Afganistan, teksa rriten shqetësimet për valë të re të migrantëve në Evropë.
Bashkimi Evropian duhet t’iu ndihmojë afganëve në Afganistan dhe shtetet fqinje, sidomos në Iran, përndryshe vala e migrantëve do të jetë e “pashmangshme”, i ka thënë Erdogan liderit grek, përmes një bisede telefonike më 20 gusht.
Erdogan ka thënë se nëse nuk krijohet stabilitet në Afganistan, pas pushtimit të talebanëve në fundjavën e kaluar, presioni veçse i lartë i migrimit do të rritet dhe situata do të përbëjë “sfidë serioze për secilin”, është cituar të ketë thënë ai sipas zyrës së tij.
Fqinjët e Afganistanit duhet të mbështeten në mënyrë që afganët “të qëndrojnë sa më afër shtëpive të tyre”, ka thënë Mitsotakis, sipas zyrës së tij.
Pushtimi i talebanëve në Afganistan, situata e përkeqësuar ekonomike dhe kriza humanitare kanë rritur shqetësimet në Evropë për përsëritje të krizës së migrantëve sikurse më 2015, kur më shumë se një milion persona kanë ikur nga lufta dhe varfëria në Lindje të Mesme, përmes Greqisë nga Turqia, para se të udhëtonin drejt shteteve më të pasura.
Turqia strehon gati katër milionë refugjatë sirianë dhe 300,000 afganë, përveç migrantëve dhe refugjatëve nga pjesë tjera të botës.
Greqia ka qenë në front të krizës evropiane me migrantë, ndonëse shkuarjet atje nga Turqia kanë rënë nga viti 2016, kur Bashkimi Evropian ka arritur marrëveshje me Ankaranë për të zvogëluar valën e migrimit në këmbim të miliarda dollarëve si ndihmë financiare dhe udhëtim pa viza për shtetasit turq në bllokun evropian.
Erdogan shpesh ankohet se BE-ja nuk i ka zbatuar të gjitha pikat e marrëveshjes dhe disa herë ka kërcënuar me hapje të kufijve turq me Evropën, duke i bërë kështu presion Brukselit.
“Turqia nuk ka mision, përgjegjësi dhe obligim që të jetë strehim për refugjatët e Evropës”, ka thënë Erdogan më 19 gusht.
“Neve na duhet t’ua kujtojmë miqve evropianë faktin se ‘Evropa nuk mund të qëndrojë larg këtij problemi duke mbyllur kufijtë për të mbrojtur mirëqenien e qytetarëve të vet’”, ka thënë Erdogan.
Në komente tjera, presidenti turk ka thënë se Turqia është në kontakt me zyrtarë në Iran rreth migrimit dhe është e përgatitur të diskutojë me talebanët, duke thënë se kontrolli i shtetit nga ky grup është “fakt”.
Më herët, Komisionari i Lartë për Refugjatë në Kombet e Bashkuara, Filippo Grandi, ka thënë se nuk pret që në Evropë të arrijë numër i madh i refugjatëve nga Afganistani, për aq kohë sa atyre që po largohen u ofrohet ndihmë.
Ai ka thënë për të përditshmen italiane, Corriere della Sera, më 20 gusht, se fqinjët e Afganistanit pritet të përballen me fluks migrantësh, sidomos Pakistani, Irani dhe Taxhikistani.
Sipas tij, “rrezik” më të madh për Bashkimin Evropian mund të ketë nëse refugjatët nuk ndihmohen dhe vendosin të nisen drejt Evropës.
Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më shumë se pesë milionë afganë tashmë janë zhvendosur jashtë shtetit prej pushtimit sovjetik më 1979, dhe si pasojë e disa periudhave të dhunës.
Vetëm 9 për qind e tyre jetojnë në Iran apo Pakistan.
Turqia dhe Greqia kanë ashpërsuar së fundmi kufijtë e tyre.
Turqia është duke krijuar mure në kufi me Iranin, si dhe sisteme elektronike të vëzhgimit, pas shqetësimeve në rritje për refugjatët afganë.
Greqia ka thënë se më 20 gusht se ka kompletuar krijimin e gardhit 40 kilometra të gjatë me Turqinë si dhe ka krijuar sistem vëzhgimi për të ndaluar hyrjen e azilkërkuesve.
“Nuk mund të presim në mënyrë pasive për ndikimin e mundshëm”, ka thënë ministri grek për Mbrojtje të Qytetarëve, Michalis Chrisochoidis, gjatë një vizite në rajonin Evros të premten.