Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, njoftoi se vendi i tij nuk do të pranojë kërkesa për azil për një muaj, pas vendimit të Turqisë për të lejuar kalimin e lirë të emigrantëve që vijnë nga vendet e konfliktit.
Mitsotakis paralajmëroi se Greqia do të mbrojë kufijtë e jashtëm të BE, duke u thënë migrantëve se do të kthehen mbrapa nëse përpiqen të kalojnë kufirin e saj.
Në kufirin tokësor greko-turk, ushtria greke dhe patrullat e policisë kanë përdorur gaz lotsjellës dhe granata për të penguar përpjekjet e mijëra emigrantëve për të hyrë brenda vendit gjatë natës. Vetëm gjatë fundjavës, autoritetet greke kanë ndaluar rreth 15 mijë emigrantë në tentativën për të kaluar kufirin.
Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë postoi foto të dhunës në kufi, duke u shprehur: “Shiko kush na jep leksion mbi ligjet ndërkombëtare. Ata po hedhin paturpësisht bomba me gaz lotsjellës mbi mijëra të pafajshëm të grumbulluar në kufijtë e tyre. Ne nuk kemi detyrim t`i ndalojmë njerëzit të largohen nga vendi ynë, por Greqia ka për detyrë t`i trajtojë si qenie njerëzore”.
Por, Qeveria greke reagoi duke u shprehur: “Turqia, në vend që të frenojë rrjetet e kontrabandës së migrantëve dhe refugjatëve, është bërë vetë një vend kontrabandist”./Gazeta Sinjali/