image Grenell: Trump dhe e bija e tij shprehin dëshirën për ta vizituar Serbinë

Politikë

Grenell: Trump dhe e bija e tij shprehin dëshirën për ta vizituar Serbinë

news image

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i cili për momentin është duke qëndruar për vizitë në Serbi, tha se presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur dëshirën për ta vizituar Serbinë, transmeton Gazeta Sinjali.

Sipas tij, ai këtë vizitë do ta bëjë me të bijën e tij, Ivanka Trump, por nuk ka treguar ndonjë datë se kur do të realizohet ky udhëtim.

Këtë deklaratë Grenell e dha para mediave serbe, pas takimit të tij me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

“Ai është i vendosur të vijë. Unë nuk kam data, por ai shprehu dëshirën e tij për të ardhur. Ai dhe Ivanka Trump kanë shprehur dëshirën për të ardhur në Beograd”, tha Grenell.

Pas vizitës së djeshme në Kosovë, ku u nënshkrua një marrëveshje tjetër e re Kosovë-SHBA, sot delegacioni i qeverisë amerikane, pjesë e së cilës është edhe Grenell, po qëndron për një vizitë në Serbi.

Vizita e delegacionit amerikan në rajon vjen pas marrëveshjes së 4 shtatorit në Washington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizim ekonomik.

Përveç Kosovës, Greqisë dhe Serbisë, delegacioni do të vizitojë edhe Izraelin./Gazeta Sinjali/